75 Mall Live Search
12:57 / E Mërkurë, 26 Gusht 2020 / indeksADMonline

Malisheva ndihmon 450 familje me paketa ushqimore

Në kuadër të përkrahjes për familjet në nevojë, si pasojë e situatës me pandeminë COVID-19, Komuna e Malishevës, ka filluar shpërndarjen e paketave ushqimore dhe higjienike për 450 familje, të cilët në një formë apo tjetër janë prekur nga kjo situatë.

Shpërndarja e paketave ushqimore, po bëhet nga Shtabi Komunal për Menaxhimin e Situatës me COVIDIN-19 në territorin e Komunës së Malishevës, ndërsa këto paketa ushqimore po shpërndahen përmes kryesive të fshatrave te familjet në nevojë.

Shpërndarjen e këtyre paketave, e ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili tha se “si shtab dhe si komunë, në vazhdimësi, nga muaji mars, jemi duke u përkujdesur për të gjitha rastet që kanë nevojë për përkrahje, pasi gjendja sociale është përkeqësuar si pasojë e pandemisë”.

“Në vazhdimësi, gjatë këtyre muajve, në bashkëpunim të ngushtë me kryesitë dhe kryetarët e fshatrave, jemi duke ju qëndruar afër të gjithë atyre që kanë nevojë për përkrahje, përmes mjeteve të komunës apo përmes donatorëve të ndryshëm. Këto paketa janë pjesë e mjeteve të ndara nga Kuvendi Komunal, për menaxhim të situatës me pandemi dhe për mbështetje të familjeve në nevojë gjatë kësaj situate”, ka sqaruar nënkryetari Berisha, në emër të SHKE-së.