08:16 / E Martë, 02 Korrik 2019 / indeksADMonline

Komuna e Mamushës jep subvencione pa kritere

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Mamushës ende nuk ka bërë hartimin e rregullores së brendshme për subvencione. Sipas auditorit, në mungesë të rregullores subvencionet janë ndarë në bazë të vendimeve të Kuvendit të Komunës dhe që të gjitha shpenzimet ishin bërë për subvencionimin e lehonave

Shpërndarje të subvencioneve pa kritere, por edhe shkelje tjera ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Komunën e Mamushës për vitin 2018. Në raportin e auditorit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se Neni 36 i Rregullës Financiare 01/2013 – “Shpenzimi i parave publike”, thotë: “Për çdo pagesë të subvencionit ose të transferimit duhet të ketë bazë të qartë juridike, d.m.th. duhet të ketë ligj, rregullore ose vendim të institucionit përkatës, që i mundëson organizatës specifike buxhetore ta bëjë një pagesë nga kjo kategori”.

Por Komuna ende nuk e ka bërë hartimin e rregullores së brendshme për subvencione. Në mungesë të rregullores subvencionet janë ndarë në bazë të vendimeve të Kuvendit të Komunës dhe që të gjitha shpenzimet ishin bërë për subvencionimin e lehonave. Sipas auditorit, mungesa e rregullores së brendshme për ndarjen e subvencioneve krijon paqartësi në përcaktimin e kritereve për përfituesit e subvencioneve.