12:51 / E Martë, 31 Mars 2020 / indeksADMonline

Komuna e Mitrovicës do të ndihmoj me pako ushqimore dhe higjienike rreth 1200 familje në nevojë

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, së bashku me drejtoreshën për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi, kanë pritur në takim përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve të qytetit të Mitrovicës.

Qëllimi i këtij takimi ishte të kërkohet nga përfaqësuesit në fjalë të evidentojnë të gjitha rastet e familjeve në nevojë në lagjet dhe fshatrat e Mitrovicës, në mënyrë që asnjë familje e cila ka nevojë për furnizim me gjëra ushqimore të mos mbetet e përjashtuar nga lista e ndihmave.

Në fjalën e tij nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, potencoi se Komuna e Mitrovicës para disa ditësh ka ndarë një shumë prej 170 mijë euro për të përballuar këtë gjendje emergjente, për shkak të pandemisë COVID-19, me ç’ rast nga kjo shumë do të ndahen edhe pako ushqimore dhe higjienike për familjet të cilat kanë nevojë dhe janë me asistencë sociale në Mitrovicë.

“Përmes këtij organizimi synojmë të kemi solidaritet dhe barazi sa më të madhe në shoqërinë tonë”, tha ndër të tjerash nënkryetari Mujka.

Ndërsa drejtoresha për Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi, tha se javën e kaluar kemi furnizuar me gjëra ushqimore një numër të konsiderueshëm të familjeve në nevojë, dhe ajo çka kërkohet nga përfaqësuesit të sjellin emrat e familjeve të cilat nuk kanë përfituar dhe kanë nevojë të ndihmohen.

Po ashtu drejtoresha Kërveshi theksoi se asnjë familje në nevojë në Mitrovicë nuk do të mbetet pa u furnizuar me gjëra ushqimore.