16:03 / E Premte, 12 Korrik 2019 / indeksADMonline

Komuna e Mitrovicës mban dëgjim buxhetor për 2020-2022

Komuna e Mitrovicës ka mbajtur dëgjim buxhetor me qytetarë lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore, për të diskutuar lidhur me projektet me prioritet për periudhën 2020-2022 dhe planet për buxhetin 2020-2022 sipas Udhëzimeve të dhëna me Qarkoren buxhetore nr.1 të Ministrisë së Financave.

Zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu theksoi se për vitin 2020 buxheti i komunës së Mitrovicës planifikohet të jetë 22,115,362.00 euro dhe se krahasuar me vitin 2019 buxheti do të ketë rritje.

Ai më tutje ka shtuar se granti i përgjithshëm për vitin 2020 për komunën e Mitrovicës do të jetë në shumën prej 7,463,466.00 euro, granti specifik për arsim 9,545,838.00 euro, grantin specifik për shëndetësi 2,436,697.00 euro si dhe komuna e Mitrovicës ka përfituar një buxhet shtesë për teatrot në vlerë 169,386.00 euro.

Të pranishmit gjatë debatit për projeksionet buxhetore për vitet 2020-2022, kanë paraqitur kërkesat e tyre për investime kapitale në infrastrukturë, ku kryesisht kërkesat ishin të fokusuara në projekte që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës; kanalizim, asfaltim të rrugëve në lagje, rregullimin e rrugëve në rajonin e Shalës së Bajgores, ndriçim publikë, ndërtimin e çerdheve si dhe projekte të tjera.