75 Mall Live Search
21:07 / E Premte, 29 Shtator 2023 / MSH

Komuna e Pejës publikon listën e dëmeve nga vërshimet, 70 mijë euro për familjen Ademaj që humbi dy anëtarë (Dokument)

Shiu i madh i 24 qershorit në Pejë shkaktoi humbje jetësh dhe dëme të jashtëzakonshme materiale.

Një nënë bashkë me djalin e saj pesë vjeçar kanë humbur jetën pasi uji depërtoi në shtëpinë e tyre në lagjen “Asllan Qeshme”.

Dhjetëra biznese dhe shtëpi u demoluan nga vërshimet, teksa pati edhe vetura të rrotulluara dhe të shkatërruara.

Dy ditë pas tragjedisë është hapur afati për parashtrimin e kërkesave të dëmeve nga vërshimet.

Nga ajo kohë, Komuna e Pejës ka qenë duke bërë vlerësimin e dëmeve materiale të shkaktuara.

Indeksonline raporton se numri i bizneseve të dëmtuara është afro 100, teksa ka edhe familje që kanë lajmëruar në Komunë se u janë dëmtuar automjetet dhe shtëpitë.

Nga gjithsej 93 biznese që janë goditur nga vërshimet e asaj dite, vlera e dëmit raportohet të ketë arritur në 1.087.982 euro.

Dy biznese kanë pësuar dëmet më të mëdha e që arrijnë shifrën prej 250 mijë eurosh.

Në anën tjetër, Indeksonline raporton se në bazë të të dhënave të mbledhura, vlera e automjeteve që janë dëmtuar nga kjo fatkeqësi natyrore është 187.450 euro.

Dëmi më i madh në numër është shkaktuar në ekonomitë familjare.

Sipas të dhënave, 329 familje janë lajmëruar në Komunë për të regjistruar dëmin e shkaktuar në shtëpitë e tyre.

Vlera totale e këtij dëmi kap shifrën prej 756 mijë e 841 eurosh, raporton Indeksonline.

Dëmet e shkaktuara në disa ekonomi familjare arrijnë deri në 40 mijë euro.

Goditjen më të madhe të këtyre vërshimeve e mori familja Ademaj, e cila humbi dy anëtarë.

Sipas vlerësimit të Komunës së Pejës, familjes Ademaj i është shkaktuar dëm prej 70 mijë eurosh nga kjo fatkeqësi.

Ndërkohë, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, pas vërshimeve kishte deklaruar se dëmet e tilla nuk mund t’i përballonte buxheti komunal.

Vërshime të mëdha në vend pati edhe në janar të këtij viti, ku Rrafshi i Kosovës u godit nga reshje të mëdha. Qytete si Skenderaji, Juniku, Klina e Mitrovica u përballen me vërshime të mëdha, të cilat shkaktuan dëme të jashtëzakonshme, dëme këto të cilat Qeveria nuk i ka kompensuar akoma.

Më poshtë lista e plotë e dëmëve të regjistruara nga Komuna./Indeksonline/