75 Mall Live Search
13:07 / E Mërkurë, 06 Janar 2021 / OSH

Komuna e Podujevës ndan 6 mijë euro për t’i siguruar një avokat Blerim Maçastenës

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar sot për IndeksOnlinen në seancën e jashtëzakonshme se për Blerim Maçastenën, i cili gjendet në paraburgim në Serbi, janë alokuar 6 mijë euro për familjen e tij.

Bulliqi tha se këto para do të shkojnë për të siguruar një avokat për të mbrojtur Maçastenën në gjykatë.

Ai theksoi se në kohën më të shpejtë do të ekzekutojnë pagesën.

“Sot në seancën e mbajtur në Kuvendin Komunal të Podujevës me propozimin e një këshilltareje komunale janë alokuar 6 mijë euro ndihmë familjes, për të siguruar një avokat për të mbrojtur anëtarin e familjes së tyre para gjykatësit, në Serbi.

Unë po ndihem shumë i gëzuar që sot Kuvendi Komunal ka marrë këtë vendim për ndihmë familjes Maçastena, në kohën më të shpejtë optimale do të ekzekutojmë pagesën.

Sipas informacioneve që kemi pranuar nga familja e Blerimit, ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po trajtohet mirë”, tha ai.

Blerim Maçastena së bashku me Berat Mexhuanin janë arrestuar në muajin dhjetor nga policia e Serbisë në hapësirën kufitare me Serbinë.

Mexhuani u lirua por Maçasteni mbeti në paraburgim për 30 ditë, pasi sipas autotriteve serbe ai kishte armë me vete dhe ka kaluar ilegalisht kufirin./IndeksOnline/