75 Mall Live Search
13:03 / E Shtunë, 28 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Komuna e Podujevës shpalli sportistët më të mirë të vitit 2019

Komuna e Podujevës ka organizuar manifestimin tradicional të fundvitit, zgjedhja e Sportistit të Vitit, ku u nderuan me mirënjohje sportistë, klube dhe punëtorë sportivë dhe donatorë.

Në manifestimin e organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Podujevës, përveç kryetarit Agim Veliu, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe sportistë e punëtorë sportivë e donatorë llapjanë.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, përgëzoi sportistët llapjanë për rezultatet e treguara gjatë vitit 2019.


Kryetari Veliu përshëndeti sportistët e dalluar, veteranët e sportit, kontribuuesit, donatorët, punëtorët sportivë, duke thënë se falë tyre janë arritur rezultate të shënueshme në sportin llapjan për vitin 2019.

“Sukseset tuaja janë të lidhura ngushtë edhe me investimet, që ne si Komunë po bëjmë në sport, përmes subvencionimit të klubeve, por edhe ndërtimit të infrastrukturës sportive”.

“Investimet në infrastrukturën sportive do t’i vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm me qëllim që juve t’ju krijojmë kushteve për gara dhe arritjen e rezultateve sa më kulmore.  Ndërsa, nga ju presim që  në vitin që po hyjmë të tregoni rezultate sa më të mira dhe të na bëni të krenohemi me sukseset tuaja!”, tha kryetari Veliu

Edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe kryetari i FFK-së Agim Ademi, uruan sportistët llapjanë për sukseset e treguara gjatë këtij viti dhe shprehën përkushtimin e tyre për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve dhe avancimin e sportit në Llap.

Në këtë mbrëmje festive u shpallën më të suksesshmit në sportin llapjan gjatë vitit 2019.

Rita Hajdini nga klubi i atletikës Llapi u shpall sportiste e vitit në Komunën e Podujevës. Ndërsa, vendi i dytë i takoi Djellorita Lushakut –  klubi i karatesë Llapi, kurse vendi i tretë i takoi Valmir Veliut – futbollist i KF Llapi.

Me epitetin Shpresë e Sportit u nderua Muhamet Hyseni nga KF Llapi. Ndërsa, klubi më i mirë i vitit u shpall Klubi i Hendbollit Llapi. 

Me mirënjohje u nderuan edhe sportistë të kategorive të reja, punëtorë sportivë, veteranë e gjyqtarë.