Komuna e Prishtinës fillon ta paguajë borxhin ndaj Ujësjellësit, i shpëton shkyçjes
Objekti i komunës së Prishtinës, por edhe shumë institucione që janë nën menaxhimin e saj kanë mundur të mbesin pa ujë.
Kjo për shkak të borxhit që kanë pasur ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, njofton Klan Kosova.
Pas paralajmërimit për shkyçje që kanë marrë nga kompania e ujit, Komuna ka filluar ta paguajë borxhin që në total ka qenë 307 mijë euro.
“53 mijë euro janë paguar të mërkurën [24 tetor], ndërsa 160 mijë do t’i paguajnë brenda 10 ditësh”, ka thënë Arjeta Mjeku, zëdhënësja e KRU “Prishtinë”.
Pjesa tjetër e borxhit do të paguhet nga Komuna në prag të Vitit të Ri.