Komuna e Prishtinës i dërgon shkresë Hekuran Muratit, për zhbllokimin e buxhetit të kryeqytetit
Komuna e Prishtinës i ka dërguar sot shkresën e radhës Ministrisë së Financave për zhbllokimin e buxhetit të Kryeqytetit.
Nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj shkruan se adresa e vetme e bllokimit të buxhetit të Prishtinës është Hekuran Murati dhe partia e tij në pushtet.
“Adresa e vetme e bllokimit të buxhetit të Prishtinës është Hekuran Murati dhe partia e tij në pushtet. Tjerat çfarë thotë ai në statuse në facebook, janë gënjeshtra të mëdha dhe tentim për ti ikur përgjegjësisë penale. Ai dhe bashkëpunëtoret e tij do të përgjigjen para drejtësisë, derisa e bllokojnë buxhetin e Prishtinës i cili është përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit 2025.
Sot ia kemi dërguar shkresën e radhës Ministrisë së Financave për zhbllokimin e buxhetit të Kryeqytetit!
33 milion euro, prej të cilave rreth 23 milion të hyra vetanake dhe 10 milion të grantit qeveritar janë bllokuar nga Hekuran Murati me bashkëpunëtoret e tij në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën” shkruan Manaj në njoftim./Indeksonline/

