Komuna e Prishtinës me dy standarde, dënon LDK për tubim, ndërkohë që vetë mban tubim pa i respektuar masat anti-COVID

Drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Adonis Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka publikuar dënimin prej 2.000 eurosh, që i ka shqiptuar LDK-së për tubimin elektoral në kryeqytet, por nuk e ka përdorur të njëjtin standard edhe në tubimin që kanë organizuar Komuna e Prishtinës, në vendosjen e gurthemelit, për Qendrën Memoriale në Prapashticë.
Në fotot që ka siguruar IndeksOnline, shihet një tubim i madh i njerëzve në këtë ceremoni, pa i respektuar masat ani-Covid, duke mos e mbajtur distancën sociale dhe shumica prej tyre janë edhe pa maska.
I kontaktuar nga IndeksOnline, drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se për këtë tubim ka komunikuar Policia e Kosovës me Komunën e Prishtinës, për të shpërndarë tubimin dhe për të marrë masa ndaj pjesëmarrësve.
“Nuk ka qenë thirrje për me marrë pjesë në ceremoni, por aty kanë dalë probleme pronësore, që qytetarët kanë pretenduar se prona është e tyre. Nuk është punë e Inspektoratit kjo”, ka thënë Tahiri për IndeksOnline.
Ndërkohë Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 13:00, në vendin e quajtur “ Dheu i Kuq”, një grup personash ishin grumbulluar në një aktivitet të organizuar nga Komuna e Prishtinës, me rastin e vendosjes së gurthemelit të përmendores përkujtimore për masakrën e vitit 1921.
“Duke parë numrin e personave të grumbulluar përtej lejimeve të parapara me ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19, policia i ka thirrur të pranishmit të shpërndahen, përderisa ndajë organizatorit veprimet policore do të jenë në përputhje me ligjin e sipër cekur”, ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Për këtë tubim ka shkruar edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.
“Sot, me iniciativën e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës z.Selim Pacolli, në Prapashticë vendoset guri themeltar për Qendrën Memoriale, në shenjë përkujtimi të martirëve të kësaj ane, me rastin e 100-vjetorit të masakrimit të tyre”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.


