Komuna e Prishtinës nënshkruan kontrata prej mbi 3 milionë eurosh për efikasitet energjetik në ndërtesat publike

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar një kontratë publike në vlerë mbi 3.1 milionë euro për realizimin e projektit: “Efiçienca e energjisë në ndërtesat publike në Prishtinë”, që synon përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe uljen e konsumit të energjisë në institucionet publike të kryeqytetit.
Kontrata është ndarë në dy lote ku ka përzgjedhur tri kompani, të cilat në afat prej 3 vjetësh duhet të përfudnojnë projektin, shkruan Indeksonline.
Për Lotin 1 është shpërblyer kompania ICE me vlerë prej 1,684,000 eurosh, ndërsa për Lotin 2 e ka shpërblyer grupin e operatorëve ekonomikë “Kameleoni” dhe “Infinit Light”, me vlerë prej 1,505,000 eurosh.

Sipas dosjes së tenderit, kompanitë fituese janë të obliguara të zbatojnë një sërë masash teknike për përmirësimin e efikasitetit energjetik, si:
Izolimi termik i mureve të jashtme dhe çative me një shtresë termoizoluese prej 12 cm, që pritet të ulë humbjet e energjisë deri në 30-40%;

Zëvendësimi i dritareve të vjetra me dritare të reja me xham të dyfishtë apo trefishtë, që ulin humbjet e energjisë me 20-25%;

Zëvendësimi i dyerve hyrëse me struktura PVC me izolim të përforcuar;
Instalimi i sistemit të ri të ngrohjes, me pajisje më efiçiente si pompa të nxehtësisë apo sisteme të bazuara në energji të rinovueshme, që mund të reduktojnë konsumin e energjisë për ngrohje me 40-50%;

Përmirësimi i ndriçimit, përmes zëvendësimit të të gjitha llampave ekzistuese me teknologji LED, për ulje të konsumit të energjisë elektrike.
Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të ndërtesave publike dhe promovimit të praktikave të qëndrueshme mjedisore në kryeqytet./Indeksonlie/