Komuna e Prishtinës dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur sot në Prishtinë një delegacion të nivelit të lartë nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, me qëllim të formalizimit të një bashkëpunimi strategjik në fusha të rëndësishme për zhvillimin e qytetit dhe rajonit.

Delegacioni i Kryegjyshatës përbëhej nga Hirësia e Tij Edmond Brahimaj – Kryegjyshi Botëror, znj. Ana Abdi – përfaqësuese e autorizuar pranë institucioneve të BE-së, si dhe z. Arben Sulejmani – Drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë.
Në kuadër të kësaj vizite u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, i cili synon:
· Organizimin e Forumit Vjetor Ndërkombëtar për Diplomaci Kulturore dhe Ndërfetare, me pjesëmarrje nga 33 shtete;
· Fuqizimin e të rinjve të Prishtinës përmes bursave dhe trajnimeve në diplomacinë ndërkombëtare;
· Përfshirjen e Kryeqytetit si bashkë-organizator i forumit me rotacion të balancuar ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës;
· Promovimin e turizmit ndërfetar dhe politikave të qëndrueshme të strehimit në kuadër të agjendave evropiane.

Kjo marrëveshje vendos bazat për një partneritet të qëndrueshëm ndërmjet dy institucioneve dhe hap rrugë për projekte me ndikim rajonal dhe evropian, në dobi të qytetarëve të Prishtinës dhe më gjerë.
