19:02 / E Hënë, 21 Tetor 2019 / indeksADMonline

Komuna e Prizrenit: Është duke u shqyrtuar pretendimi për abuzim me fëmijë në Shkollën “Motrat Qiriazi”

Këto ditë nëpër rrjete sociale dhe media është publikuar një fotografi ku shihen nxënësit e shkollës ShFMU “Motrat Qiriazi” dhe mësimdhënësi i kësaj shkolle, duke përshëndetur në mënyrë ushtarake, e cila ka shkaktuar reagim në opinion me pretendim për abuzim ndaj fëmijëve.

Në komunikatën e lëshuar nga Komuna e Prizrenit, thuhet se Drejtoria Komunale e Arsimit këtë rast është duke e shqyrtuar hollësisht dhe është në koordimin të plotë me Inspektoratin e Arsimit, për mbledhjen e informacioneve nga terreni. Andaj, siç thotë Komuna, në momentin e kompletimit të të gjitha informacioneve, DKA do të merr masat e parapara sipas legjislacionit në fuqi.

Me këtë rast DKA thekson se në hapësirat shkollore nuk është i lejuar aplikimi i asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi me fëmijë, dhe iu bën thirrje të gjithë mësimdhënësve që të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm në respektimin e ligjeve dhe të drejtave të fëmijëve.

Ndryshe, nxënësit e shkollës janë fotografuar nga mësimdhënësi i tyre, deri sa përshëndetin në mënyrë ushtarake dhe mbajnë në duar flamurin turk. Kjo mënyrë e përshëndetjes është kthyer në simbolikë të mbështetjes të ndërhyrjes ushtarake të Turqisë ndaj kurdëve në Siri.