75 Mall Live Search
10:10 / E Martë, 10 Qershor 2025 / Z S

Komuna ia shkurton subvencionet, reagon “DokuFest”-i: Nënvlerësim ndaj kulturës, komunitetit dhe Prizrenit

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, ka reaguar me shqetësim dhe zhgënjim të thellë ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit për të reduktuar ndjeshëm subvencionet për të dytin vit me radhë.

Sipas “Dokufest”-it përkundër rritjes së buxhetit të përgjithshëm për kulturën, fondet përjanë ulur me gati 30% krahasuar me vitin e kaluar, duke përfaqësuar më pak se 9% të buxhetit total të festivalit.

Organizatorët e quajnë këtë një vendim që minon rëndësinë kulturore dhe ekonomike të festivalit dhe një goditje ndaj gjithë asaj që është ndërtuar me përkushtim për gati një çerek shekulli.

Postimi i plotë:

“DokuFest”-i reagon ndaj shkurtimeve të subvencioneve për të dytin vit me rradhë.

“Një nënvlerësim ndaj kulturës, komunitetit dhe Prizrenit”

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, shpreh shqetësim dhe zhgënjim të thellë ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur përsëri ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit.

Përkundër rritjes së buxhetit të përgjithshëm për kulturë, shuma e ndarë për “DokuFest”-in është ulur për gati 30% në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë kështu më pak se 9% të buxhetit të përgjithshëm të festivalit. Kjo është hera e dytë radhazi që komuna zgjedh të shkëpusë mbështetjen për një festival që tash 24 vite ka qenë boshti kryesor kulturor i qytetit dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore.

Ne mendojmë që kjo nuk është vetëm një çështje buxhetore, por është një vendim që godet themelet kulturore të qytetit tonë dhe është në kundërshtim me gjithçka që kemi ndërtuar bashkë për afro çerek shekulli.

Secilin vit në gusht, “DokuFest”-i ka promovuar Prizrenin duke e transformuar në një hapësirë kulturore ndërkombëtare, me shfaqje të filmave, performancave, punëtorive, ekspozitave dhe debateve.

Ky transformim simbolik shoqërohet me efekte të matshme ekonomike dhe sociale:

• Më shumë se 16,700 vizitorë morën pjesë në “DokuFest” më 2024, prej tyre rreth 5,000 ndërkombëtarë.

• Sipas ATK-së dhe institutit GAP, vizitorët shpenzuan afro 4.1 milionë euro gjatë festivalit.

• Qarkullimi i bizneseve të Prizrenit u rrit me 29% në muajin gusht krahasuar me korrikun.

• Për çdo 1 euro të investuar nga fondet publike, “DokuFest”-i ka kthyer 22.8 euro në ekonomi.

• Festivali gjeneron mbi 100 vende pune sezonale për të rinjtë dhe përfshin 120 vullnetarë që mësojnë aftësi të reja, të pazëvendësueshme dhe esenciale për ekonominë kreative në Kosovë.

Për 24 vjet me radhë, “DokuFest”-i e ka pozicionuar Prizrenin në hartën botërore të kulturës. Ka sjell në qytet artistë, turistë dhe profesionistë nga mbi 60 vende të botës, duke ndikuar në zhvillimin e turizmit, kinemasë dhe diplomacisë kulturore.

Megjithatë, vendimi i komunës për të mos e trajtuar “DokuFest”-in si partner strategjik kulturor është i pakuptimtë dhe kërcënon të dëmtojë një ekosistem të ndërtuar me mund e përkushtim ndër vite.

Ftojmë Komunën e Prizrenit që të rishqyrtojë me urgjencë këtë vendim të ngutshëm dhe të riafirmojë përkushtimin ndaj kulturës dhe qytetarëve të saj. “DokuFest”-i nuk është vetëm një ngjarje, por është një investim në të ardhmen kulturore dhe ekonomike të qytetit.

Festivali do të vazhdojë misionin e vet, por u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë: artistëve, qytetarëve, institucioneve, donatorëve dhe dashamirësve të kulturës të qëndrojnë me ne.

Kultura nuk është luks. Është identitet. Është zëri i qytetit!./Indeksonline/