Komuna shpall situatë emergjente në Rrugën B, paralajmëron intervenim të shpejtë
Komuna e Prishtinës ka shpall gjendje emergjente në rrugën B, për shkak se kanalizimi fekal po pengon banorët e kësaj ane.
Pasi sot në mëngjes ata protestuan para Komunës, kjo e fundit ka reaguar duke thënë se do të ketë intervenim urgjent.
“Nënkryetari Muhedin Nushi, në konsultim me hidroinxhinierët komunalë dhe ata të Ujësjellësit, ka shpallur sot situatën emergjente për intervenim të menjëhershëm në Rrugën B.
Problemi me kanalizim në këtë lagje është pasojë e kyjeve të gabuara të ndërtuesve shumë vite më parë, të cilët kanalizimin fekal e kanë lidhur me kanalizimin atmosferik të “Banesave të Bardha”.
Me shpalljen e situatës emergjente mundësohet intervenimi i shpejtë përmes negocimit me kompani, duke shmangur kështu nevojën e tenderimit që do ta zvarriste procesin dhe do ta thellonte problemin në fjalë. Kësisoj, Komuna e Prishtinës brenda 24 orëve do te fillojë punimet në atë zonë, në mënyrë që të lirohet gypi i kanalizimit, ta pastrohen podrumet, të bëhet deratizimi dhe dezinfektimi i nevojshëm”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës./Indeksonline/