75 Mall Live Search
10:57 / E Premte, 22 Maj 2020 / indeksADMonline

Komunat kërkojnë nga Besian Mustafa të rishikojë listat refuzuese të fermerëve

Asociacioni i Komunave të Kosovës i është drejtuar me një kërkesë ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, për rishikim të kritereve dhe rivlerësim të listave të fermerëve që janë në listat refuzuese për shkak mosnjohjes nga ana e tyre të disa procedurave ankimore për subvencionime.

“Si rezultat i gjendjes së krijuar me COVID-19 dhe mbylljes së tregjeve, fermerët kosovarë kanë pësuar mjaft shumë dëme në aspektin financiar, si pasojë e kësaj pandemie, produktet e tyre bujqësore nuk kanë mundur të plasohen në tregjet e gjelbra, të eksportohen jashtë vendit, të i furnizojnë restorantet, hotelet apo shfrytëzuesit e tjerë të produkteve bujqësore. Pasojat nga vështirësitë e krijuara nga situata me COVID 19 kanë ndikuar në investimet e bëra nga fermerët, e të cilat investime nuk kanë rezultuar në fitim për ta”.

AKK thotë se fermerët e komunave të Kosovës, ashtu siç është paraparë me Udhëzimin Administrativ 03/2018, kanë aplikuar për pagesa direkte – subvencione të cilat si procedurë kryhen në komuna, respektivisht në drejtoritë përkatëse komunale.

Zyrtarët komunalë nga evidencat dhe vizitat e tyre në terren këtë vit kanë vërejtur një rënie të numrit të aplikacioneve në komuna. Komunat gjithashtu kanë identifikuar që fermerët liderë dhe një numër i tyre edhe pse fermerë më të mirë, për arsye të ndryshme tani gjenden në listën e zezë duke u bazuar në raportet e inspektorëve të MBPZHR-së.

“Fermerët e mirë janë profesionistë në punën e tyre, por nuk i njohin mjaftueshëm procedurat burokratike të shfrytëzimit të së drejtës për ankesë dhe rrjedhimisht ndodhen në listën e zezë të ministrisë. Si rrjedhojë, fermerët janë përjashtuar më shumë se sa për vitin aplikues”.

“Duke pasur parasysh argumentet e lartcekura, ne si AKK kërkojmë nga Ju që të bëhet një rishikim i kritereve dhe rivlerësim i këtyre listave në mënyrë që të iu ndihmohet fermerëve që të kalojnë vështirësitë e krijuar për veprimtarinë e tyre me probleme shtesë të krijuara edhe nga pasojat e pandemisë”.

“Ju lutemi të rishikohen edhe gabimet e mundshme të shkaktuara edhe për arsye të defekteve kadastrale e pa qëllim të fermerëve në mënyrë që të mos pasojnë si aplikues, e ku parashihet një përjashtim afatgjatë siç është paraparë në bazë të listës së zezë. Shpresojmë që kjo kërkesë e jonë të merret në konsideratë nga ana e juaj dhe të kemi një përgjigje e cila do të jetë në favor të zhvillimit të veprimtarisë bujqësore në komuna”.