Komunat nën presion financiar, Ibrahimi: Mbi 236 milionë euro të humbura

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka reaguar ndaj raportit “Letërnjoftimi i Komunave 2025”, të publikuar nga Instituti GAP.
Në një përgjigje për IndeksOnline, Ibrahimi ka theksuar se gjetjet e raportit pasqyrojnë problemet me të cilin përballen komunat e Kosovës, ndërsa fajësoi qeverinë qendrore për politikat e njëanshme që, sipas tij, po i ngarkojnë komunat me barra të padrejta.
“Raporti i GAP-it vërteton atë që komunat kanë ngritur vazhdimisht: se problemet kryesore nuk burojnë nga dobësitë e komunave, por nga vendimet e njëanshme të nivelit qendror. Gjetjet përkojnë me realitetin: komunat mbajnë barrën e borxheve gjyqësore, të hyrave të ulëta dhe të rënies demografike, por këto sfida u janë imponuar nga politika dhe ligje të hartuara pa konsultim me to”, deklaroi Ibrahimi.
Sipas tij, një nga sfidat më të mëdha që po rëndon mbi komunat është zbatimi i vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore që burojnë nga kontratat kolektive të hartuara në nivel qendror.
“Sfida më shqetësuese është imponimi i vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore mbi komunat. Vetëm këtë vit, nga shuma totale, ku shumica e mjeteve iu janë marrë komunave për shkak të kontratave kolektive të aprovuara nga qeveria qendrore dhe sindikatat përkatëse, komunave u janë marrë mbi 73.5 milionë euro, prej të cilave mbi 40 milionë euro janë hequr nga investimet kapitale. Nga viti 2022 deri në gusht 2025, kjo shumë arrin mbi 236 milionë euro”, theksoi ai.
Ibrahimi shtoi se edhe pse buxhetet komunale janë rritur, kjo rritje nuk ka ardhur si rezultat i një strategjie për zhvillim lokal, por është pasojë e rritjes së pagave dhe formulave financiare të detyruara me ligje në fuqi.
“Është e vërtetë që buxhetet komunale janë rritur, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të një vullneti politik për të forcuar komunat, por për shkak të rritjes së pagave dhe zbatimit të ligjeve në fuqi dhe formulave për ndarjet buxhetore që automatikisht e shtojnë edhe buxhetin për komunat. Pra, rritja është teknike dhe jo zhvillimore”, u shpreh ai.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Asociacioni lidhet me të hyrat vetanake, të cilat, sipas Ibrahimit, janë zvogëluar ndjeshëm si rezultat i ndryshimeve në Ligjin për Tatimin në Pronë.
“Të hyrat vetanake kanë rënë pikërisht për shkak të ndryshimit arbitrar të Ligjit për Tatimin në Pronë nga qeveria. Ky ligj, i imponuar pa konsultim, uli arkëtimet dhe e bëri më të vështirë vetëfinancimin e komunave. Për të përmirësuar gjendjen, është e domosdoshme që niveli qendror të rishikojë ligjin bashkë me komunat dhe të krijojë instrumente fiskale të reja që u japin më shumë hapësirë financiare komunave”, tha Ibrahimi.
Megjithatë, ai theksoi se Asociacioni është duke ndërmarrë veprime për të mbrojtur interesin e komunave dhe për të ndikuar në ndryshimet e nevojshme.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës po ndërmerr hapa për të mbrojtur komunat nga vendimet e njëanshme të nivelit qendror: duke avokuar për ndryshime ligjore që ndalojnë hedhjen e barrës së kontratave kolektive mbi komunat; duke punuar me donatorët për të sjellë projekte që ndihmojnë në digjitalizim dhe transparencë buxhetore”, theksoi ai.
Në fund, Ibrahimi akuzoi qeverinë qendrore për mungesë përkrahjeje ndaj nivelit lokal dhe për përkeqësim të situatës përmes vendimeve të marra pa konsultim.
“Qeveria jo vetëm që nuk e ka përkrahur nivelin lokal, por shpesh e ka dëmtuar atë: nuk e ka ndryshuar Ligjin për Financat Lokale për të krijuar Grantin e IV për investime kapitale dhe grantin për shërbime sociale, që do të ishte një mbështetje konkrete për komunat; nuk ka asnjë ligj apo mekanizëm tjetër që të lehtësojë barrën financiare të komunave; ka ndërmarrë vendime të njëanshme, si ndryshimi i Ligjit për Tatimin në Pronë dhe imponimi i kontratave kolektive, që i kanë lënë komunat me borxhe dhe pa mundësi investimi”, përfundoi Ibrahimi./IndeksOnline/