23:47 / E Mërkurë, 31 Gusht 2022 / A. M.

Komunat nuk i dorëzojnë listat e grevistëve, Qeveria nuk i proceson pagat për ta

Qeveria e Kosovës ende nuk ka procesuar pagat për punëtorët e arsimit ndërsa drejtorët e arsimit në disa komuna të Kosovës kanë njoftuar se nuk kanë dorëzuar listat e grevistëve për shkak se kanë thënë “nuk është e drejtë ligjore” kërkimi i kësaj liste.

Të mërkurën e 31 gushtit, Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ekzekutimi i pagave për këtë muaj është bërë vetëm i pjesshëm, për arsye se sipas tij, organizatat buxhetore nuk i kanë dërguar listat e atyre që kanë dalë në punë me kohë.

E për këtë edhe një profesor në një shkollë në qytetin e Gjilanit, (emër i njohur për redaksinë) ka thënë se ky vendim është kërcënim i hapur dhe politikë e poshtër.

“Tentim për përçarje, në kohë krizash, s’po kemi as rrymë, as rroga. Vështirë të mbijetohet sot. Patjetër, siç duket, qeveria këtë po e kërkon, përshkallëzimin e situatës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se me mosekzekutimin e pagave Qeveria po i rikthen njerëzit në primitivizëm.

“Po kuptohet që dojnë të na qesin në rrugë, me ngritjen e çmimeve, mungesën e energjisë, mos ekzekutimin e atyre pagave të vogla që i kemi, dojnë me na rikthy në primitivizëm, ku njeri rikthehet në instikitin shtazarak për të mbijetuar”, ka vijuar ai.

Shumë komuna kanë bërë të ditur se ende nuk janë ekzekutuar pagat ani pse para grevës kanë dorëzuar listat e pagave të plota për punëtorët.

Ndërkaq, drejtori i arsimit në komunën e Istogut, Naim Behlulaj ka thënë se pagat nuk janë ekzekutuar ende në atë komunë.

Ai ka thënë se listën e kërkuar për ata që janë në grevë, nuk e kanë dorëzuar sepse sipas tij, Ministria e Financave nuk ka të drejtë ligjore për këtë listë.

Po ashtu, edhe drejtori i arsimit në komunën e Drenasit, Muhamet Gjoka ka bërë të ditur se nuk janë ekzekutuar ende pagat për mësimdhënësit.

Edhe ai ka potencuar se nuk e ka dorëzuar listën e atyre që janë në grevë.

Gjithashtu edhe drejtori i arsimit në komunën e Pejës, Naser Gega ka bërë të ditur se ende nuk janë ekzekutuar pagat.

Ai ka thënë se vetëm ka pasur deklarime verbale nga ana e drejtuesve të shkollave në drejtoritë komunale të arsimit për punëtorët të cilët kanë qenë në punë, pasi është kërkuar nga inspektorati.

Ndërkaq, përfaqësuesja e SBASHK-ut, Luljeta Hajdini në komunën e Obiliqit ka thënë se ende nuk janë ekzekutuar pagat, duke shtuar se nuk ka ardhur ndonjë listë për deklarim të grevistëve.

Po ashtu edhe drejtori i arsimit të Klinës, Qemajl Sejdija ka bërë të ditur se ende nuk janë procesuar pagat për punëtorët.

Ndryshe, më 25 gusht, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist, listën e personave që po marrin pjesë në grevë, për t’ua ndërprerë pagën sipas nenit 18 të Ligjit për Greva.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se përderisa e drejta e grevës dhe grumbullimit është e garantuar me ligj, po ashtu praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin që të paguajë punëtorin sa është në grevë.

Sipas tij, është obligim i sindikatës që t’i kompensojë grevistët, mirëpo ligji për grevë thotë të kundërtën. (RTV Dukagjini)