18:33 / E Enjte, 25 Prill 2024 / L K

Komunat votojnë kundër financimit komunal të Qeverisë për vitin 2025-2027

Në takimin e sotëm të Komisionit të Granteve është diskutuar shqyrtimi dhe aprovimi i financimit komunal për vitet 2025-2027.

Në këtë takim, përfaqësuesit e Komunave të Kosovës në këtë komision e kundërshtuan dhe votuan kundër dokumentit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për financimin komunal për vitet 2025-2027, përcjell IndeksOnline.

Komunat në këtë komision ishin të përfaqësuara nga z.Bali Muharremaj – kryetar i Komunës së Suharekës dhe njëherit anëtar Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), z.Bashkim Ramosaj – kryetar i komunës së Deçanit dhe z.Zenun Elezaj – kryetar i Komunës së Klinës.

Ministria e Financave dhe Transfereve (MFT) e ka paraqitur dokumentin vetëm me fillimin e takimit dhe nuk e ka dërguar dokumentin në fjalë tek Kryetarët e Komunave paraprakisht.

“Është hera e parë në histori të Republikës së Kosovës që MFT bën një veprim të tillë.
Zakonisht dokumenti që ka të bëjë më financimin komunal dërgohet te Kryetarët e Komunave, Anëtar të Komisionit të Granteve, paraprakisht. Është për t’u habitur se përse një veprim i tillë ka ndodhur në këtë formë këtë vit”

Në këtë takim Kryetari Bali Muharremaj në emër të Bordit të AKK-së ka paraqitur kërkesën e Komunave sa i përket zbatimit të kontratës kolektive për arsim ku ka kërkuar që mjetet financiare të cilat po i merren padrejtësisht Komunave që Qeveria t’i marrë përsipër.

“Komunave janë duke iu marrë mjetet padrejtësisht sepse ato nuk janë palë nënshkruese të kontratave kolektive.
Komunave viteve të kaluara i’u janë marrë me dhjetëra miliona euro nga buxhetet e tyre dhe kjo është duke vazhduar edhe më tutje.
Edhe në vitet në vijim, përfshirë edhe këtë vit, komunat do dëmtohen në vlerë mbi 30 milion euro”

Kjo kërkesë e Komunave edhe pse e ligjshme, bazuar në Ligjin për Financa të Pushtetit Lokal, nuk ka gjetur përkrahje nga anëtarët e komisionit të granteve që vijnë nga Institucionet qendrore dhe Parlamenti i Republikës së Kosovës dhe për këtë komunat nuk e kanë përkrahur dokumentin për financimin komunal 2025-2027.

Pasojat që komunat po i bartin pasi që qeveria nuk po i përkrah janë të paraqitura si në vijim:

1.      Shumica absolute e këtyre mjeteve të cilat po iu merren Komunave janë të dedikuara për investime kapitale dhe komunat nuk po kanë mundësi të zbatojnë projekte të tilla.

2.      Raportet e auditimit për komuna dalin si raporte të kualifikuara për shkak të tërheqjes së njëanshme të mjeteve nga MFT për investime kapitale nga buxhetet komunale dhe

3.      Pasi që Komunave po i del raporti i auditorit i kualifikuar, nuk po munden të marrin pjesë në garën e skemës së performancës komunale.

Përkundër kërkesave të kryetarëve të komunave për t’u marë parasysh kërkesat e tyre, ata u mbivotuan.