10:42 / E Martë, 10 Tetor 2017 / indeksADMonline

Komuniteti LGBTI kërkon nga shoqëria kosovare dashuri në vend të urrejtjes

Në Prishtinë ka nisur të mbahet për herë të parë “Parada e Krenarisë” së komunitetit LGBTI.

Në fjalimin e mbajtur nga organizatorë të Paradës u tha se shoqërisë kosovare i duhet dashuria në vend të urrejtjes.

“Gjithmonë ka hapësirë për të gjitha por jo për urrejtje. Më shumë se urretja na duhet humanizmi, pa këto shoqëria s’do të ketë vlera. Më shumë se kurrë kemi nevojë për dashuri”, tha Lendi Mustafa përfaqësues i këtij komuniteti në Kosovë.

Para dhjetëra pjesëmarrësve, ai tha se ky komunitet është mbledhur për të rrezatuar dashuri.

“Ne jemi mbledh për me rrezatu dashuri edhe për ata që na kundërshtojnë, edhe për ata të cilët na urrejnë, dashuria bën fuqi për të bërë drejtësi.

Ne nuk do të ndalemi, do të rrezatojmë dashuri për të gjithë”, përfundoi fjalimin Mustafa.

Në Paradën e Krenarisë ka marrë pjesë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Presidenti tha para të pranishmëve se asnjë komunitet në Kosovë nuk duhet të ndihet i kërcënuar.

Ndërkaq, në marsh nuk po marrin pjesë shumica e krerëve të institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Ramush Haradinaj./AktivPress