11:46 / E Premte, 18 Shkurt 2022 / OSH

Konferenca e Mynihut po vjen në një moment krizash, Ischinger: Nevoja për dialog nuk ka qenë kurrë më e madhe

Konferenca e 58-të e Sigurisë së Mynihut (MSC) nis nga sot në vendin e saj të zakonshëm, në Mynih.

Konferenca treditore këtë vit do të mirëpresë më pak të ftuar dhe përfaqësues të mediave, si dhe delegacione më të vogla për të garantuar shëndetin dhe sigurinë e pjesëmarrësve në të për shkak të pandemisë COVID-19.

Megjithatë, në një mënyrë të rëndësishme, “MSC 2022” do të jetë njësoj si vitete e kaluara ku do të marrin pjesë shumë nga vendimmarrësit kryesorë të botës, duke përfshirë më shumë se 30 krerë shtetesh dhe qeverish, 100 ministra dhe krerët e shumë prej vendeve.

Pjesë e saj do të jenë edhe organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare si OKB, NATO dhe BE.

Konferenca do të hapet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. Delegacioni i qeverisë gjermane do të drejtohet nga kancelari Olaf Scholz, teksa Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen përsëri nga një delegacion veçanërisht i spikatur që përfshin si administratën ashtu edhe kongresin.

Kryetari i MSC-së, Wolfgang Ischinger, para nisjes së punimeve të kësaj konference ka thënë se nevoja për dialog nuk ka qenë kurrë më e madhe.

“Bota jonë është në rrezik. Siguritë tradicionale po shemben, kërcënimet dhe dobësitë po shumohen dhe rendi i bazuar në rregulla po sulmohet gjithnjë e më shumë. Nevoja për dialog nuk ka qenë kurrë më e madhe”, tha Ischinger.

Edhe pse përballja me situatën aktuale pandemike duhet të jetë në krye të të gjitha konsideratave, nevoja për t’u kthyer në takime dhe dialog të rregullt në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë është e qartë për të gjithë.

Rreziku i përshkallëzimit dhe dëmit të pariparueshëm ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla është real dhe numri i krizave ndërlidhëse po rritet. Kështu, Konferenca e Sigurisë e Mynihut 2022 po vjen në një moment të rëndësishëm.

MSC do të ofrojë një platformë për të adresuar këtë valë krizash reciprokisht përforcuese. E krijuar si një konferencë pune, MSC do të jetë mikpritëse e një numri të madh takimesh zyrtare dypalëshe dhe shumëpalëshe, përveç formateve të veta.

Ndër temat që do të diskutohen në programin kryesor janë sfidat globale, si pandemia dhe krizat klimatike, mbrojtja e demokracisë, rregullimi i teknologjisë si dhe sfidat rajonale si rigjallërimi i aleancës transatlantike, tensionet në rritje në Evropën Lindore dhe situata në disa nga zonat më të rënda të konfliktit në botë. Dita e fundit e konferencës i kushtohet Bashkimit Evropian dhe mënyrës se si ai mund (dhe duhet) të kontribuojë në adresimin e të gjitha këtyre sfidave.

Rrugën drejt Mynihut sot kanë marrë edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Kujtojmë se MSC është themeluar më 1963 dhe që nga atëherë është një forum i pavarur në të cilin promovohen zgjidhjet paqësore të konflikteve, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dialogu.