Konferenca e NATO-s në Tiranë, Rutte: Rrisim shpenzimet për mbrojtjen kibernetike, mbrojtja jonë bëhet më e fortë

Shqipëria është vendi mikpritës i delegacioneve nga 32 vendet anëtare të Aleancës, të përfaqësuara nga ministritë e jashtme, të mbrojtjes dhe cyber ambassadors.
Në një mesazh drejtuar konferencës në Tiranë, shefi i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se vendet anëtare po rrisin shpenzimet për mbrojtjen kibernetike.
Rutte shtoi se NATO-ja është aleancë e vlerave të përbashkëta dhe se në aleancë askush nuk qëndron i vetëm.
“Kënaqësi e madhe t’u drejtohem konferencës së NATO-s dhe më vjen keq që nuk jam me ju personalisht. Sot tastiera është armë lufte, shënjestron shoqëritë tona çdo ditë, aktorë shtetërore dhe jo shtetërorë punojnë kundër nesh në hapësirën kibernetike, duke u rrekur që të prishin mbrojtjet tona, të ndërhyjnë në shërbimet qeveritare. Në përgjigje të kësaj, NATO-ja vazhdon të bëhet më e fortë në botën dixhitale. 10 vjet më parë, kibernetika u bë fushë operative. Ne jemi stërvitur, kemi kryer operacione në hapësirën kibernetike dhe kundërshtarët e dinë se shkelja e hapësirës mund të vënë në lëvizje nenin 5. Në Belgjikë ne po ngremë një qendër të integruar të kibernetikës në NATO dhe do informojë komandat e NATO-s për kërcënimet e rreziqet në hapësirën kibernetike duke përfshirë edhe infrastrukturën kivernetike dhe ushtarake. Në Hagë, në verë ramë dakord që do të arrijmë shpenzime 5% për mbrojtjen pro edhe për investime të tjera. Kjo do të thotë se mbrojtja jonë do të bëhet më e fortë dhe më rezistente ndaj kërcënimeve kibernetike. Po kështu vendet janë përgjegjëse për mbrojtjen por NATO-ja ofron një rrjet unik përmes të cilit aleatët mund të reagojnë ndaj kërcënimeve kibernetike. Ky forum në Tiranë është i jashtëzakonshëm për të ndarë praktikat më të mira. NATO-ja është aleancë vlerash të përbashkëta dhe do të vazhdojmë të promovojmë një reagim të bazuar në norma dhe të menjëhershëm në hapësirën kibernetike. Në NATO askush nuk qëndron vetëm, të gjithë së bashku në këtë epokë dixhitale kundër cdokujt që kërkon të na dëmtojë”, theksoi ai.