Konfirmohet, Kosova e nis vitin 2021 me ndeshje miqësore

Në Mars të vitit 2021, Kombëtarja e Kosovës fillon kampanjën kualifikuese për kampionatin botëror ‘Katari 2022’.
Shorti që u hodh në fillim të këtij muaji, caktoi ‘Dardanët’ në grup me Spanjën, Greqinë, Gjeorgjinë dhe Suedinë.
Megjithatë ndeshjen e parë të vitit, Kosova do ta ketë miqësore.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.
“Po sigurisht që do të luajmë miqësore. Është kompetencë e UEFA-së që të përcaktojë kundërshtarin. Pastaj nëse ata nuk munden, duhet të përfshihemi edhe ne. Besoj që do të luhet në Prishtinë” deklaroi Salihu.
Me shumë gjasë, miqësorja do të zhvillohet me 25 mars.
Tri ditë më vonë, Kosova luan kundër Suedisë në ‘Fadil Vokrri’ ndeshjen e parë kualifikuese për botëror.
/Indeksonline/