75 Mall Live Search
15:24 / E Mërkurë, 04 Mars 2020 / indeksADMonline

Konfirmohet rasti i parë i koronavirusit në zyrat e BE-së në Bruksel

Institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel janë goditur nga rasti i parë i koronavirusit. Autoritetet në kryeqytetin belg kanë marrë masa të gjera parandaluese për luftimin e përhapjes së virusit të ri.

Sipas një dërgese të brendshme elektronike, të raportuar nga faqja “Euractiv”, me koronavirus është infektuar një anëtar i stafit të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes.

Raportohet se ky person ishte kthyer nga një udhëtim në Itali javën e kaluar, para se t’i shfaqte simptomat e para gjatë fundjavës.

Thuhet se pacienti ka marrë pjesë në një takim me rreth 30 zyrtarë të institucioneve të tjera të BE-së, duke e shtuar rrezikun e përhapjes së virusit tek ta.

Një anëtar i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme gjithashtu ka shfaqur simptoma të virusit dhe është duke i pritur rezultatet e testimit. Edhe zyrtarët e tjerë që kishin marrë pjesë në këtë takim kanë pasur takime të tjera më vonë dhe kanë udhëtuar nëpër vende të ndryshme.

Ky rast u konfirmua vetëm një ditë pasi Parlamenti Evropian mori vendim që t’i mbyllë dyert për vizitorët si masë parandaluese kundër koronavirusit.