Konfirmon Policia: I dyshuari u qëllua gjatë tentimit për të ikur nga policia

Policia e Kosovës e ka konfirmuar lajmin që publikoi pak më parë IndeksOnline, se një person është plagosur me armë zjarri nga një zyrtar policor në Graçanicë.
Policia ka bërë të ditur se rreth orës 16:00 , në afërsi të rrethit të Çagllavicës, për lëvizje të dyshimta policia ka ndaluar një automjet të tipit Golf -VI- në të cilën kanë qenë dy persona.
“Pas ndaljes së veturës janë konstatuar parregullsi kundërvajtëse të tilla si veturë pa regjistrim, ndërsa pas kontrollit është gjetur edhe një shufër metalike. Ndërkohë që policia ka kryer verifikimet e nevojshme pasagjeri ka rezultuar të jetë i kërkuar me urdhër arrest për sulm ndaj personit zyrtar”, ka bërë të ditur për IndeksOnline zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
Ajo ka thënë se menjëherë të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor dhe përderisa vozitësit i janë shqiptuar masat administrative për kundërvajtje dhe është liruar, i dyshuari i kërkuar me urdhër arrest është ndaluar në stacion.
“I dyshuari A. U, 21 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, duke përfituar nga momenti, është arratisur nga stacioni policor, me ç’ rast është pritur jashtë stacionit nga vetura e njëjtë dhe së bashku me dy persona të tjerë; F.G, 22 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe Q.G, 28 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, që po e prisnin në veturë kanë ikur me vrull duke shkaktuar rrezik për sigurinë përreth”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka thënë se për të ndaluar ikjen dhe shmangur arratisjen, zyrtari policor ka përdorur armën dhe me këtë rast, një nga të dyshuarit ka marrë plagë.
“Në ikje e sipër të dyshuarit kanë shkaktuar një aksident trafiku dhe për më shumë dy nga ta pas aksidentit janë arratisur, ndërsa të dyshuarit F.G, pasi i është dhënë ndihma e parë është transferuar në QKUK për trajtimin e mëtejmë mjekësor”, theksoi ajo.
Prokurori i shtetit bashkërisht me Inspektoratin Policor, janë duke trajtuar rrethanat specifike të ndërlidhura me rastin.