Konfiskohen 80.000 copë cigare të kontrabanduara në dy autobusë të linjes Serbi-Kosovë

Njësitet antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në Mitrovicë, kanë ndaluar për kontroll dy autobusë që qarkullonin në linjën Serbi–Kosovë.
Gjatë kontrollit fillestar, në orët e vona të mbrëmjes, për shkak të kushteve të kufizuara për inspektim të detajuar, në sistemet e ajrosjes së njërit prej autobusëve u has në një sasi të konsiderueshme cigaresh pa banderola.
Kontrollet e detajuara janë vazhduar më tutje ku në një hapësirë të posaçme (“bunker”) për fshehje mallrash, si edhe në tualetin e autobusit, janë zbuluar edhe cigare të tjera të kontrabanduara.
Në total janë gjetur dhe konfiskuar 80.000 copë cigare, të gjitha pa banderola, të cilat dyshohet se ishin destinuar për tregun e brendshëm të Kosovës në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Rasti është proceduar për hetime të mëtejshme në bashkëpunim me prokurorinë themelore.