75 Mall Live Search
09:30 / E Premte, 30 Qershor 2023 / k.v

Konfiskohet arsenal armësh në Sibofc i Epërm të Podujevës, arrestohet i dyshuari (Foto)

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente, të asistuar edhe nga njësitet tjera të stacionit policor në Podujevë dhe njësinë K9, duke u bazuar në Urdhër Kontrollin e lëshuar nga Gjykata kompetente, të enjten kanë realizuar një operacion kontrolli në rajonin e Podujevës.

IndeksOnline ka mësuar se operacioni është realizuar në fshatin Sibofc i Epërm të Podujevës, ku një person ka përfunduar në pranga ndërsa në shtëpinë e tij është gjetur arsenal i armëve.

Prokurori ka urdhëruar autoritetet e rendit që të hapin rastin për trafikim të armëve ndërsa personi i dyshuar të ndalet në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar: Dy armë revole, një armë e gjatë (ajrore), 25 fishekë, 10 krehër të karikatorit (për armë të gjata), 1 kuti e mbushur me barut dhe një sasi e predhave sferike për fishekë të gjuetisë si dhe pajisje për shtypjen (gravim) të shkronjave dhe numrave në armë (metal)./IndeksOnline/