15:07 / E Hënë, 26 Mars 2018 / indeksADMonline

Konfiskohet mish me afat të skaduar në Prizren [Foto]

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka njoftuar se  sot gjatë një aksioni të ispektimit të mishit, është hasur  në mish të skaduar në njërën prej qendrave më të mëdha tregtare të këtij  qyteti.

Haskuka përmes një shkrimi ka bërë të ditur se janë konfiskuar menjëherë 720 kilogramë mish me afat të skaduar, transmeton Indeksonline.

“Inspektorët komunalë fillimisht kanë vërejtur se mishi ka pësuar ndryshime organoleptike (ngjyra, shija dhe era e mishit janë tjetërsuar)”, ka thënë Haskuka.

Postimi i plotë:

MISH ME AFAT TË SKADUAR

Gjatë aksionit tërë javor të inspektimit të mishit në Komunën tonë, sot është hasur në mish me afat të skaduar, në njërën prej qendrave më të mëdha tregtare në qytet.

Inspektorët komunalë fillimisht kanë vërejtur se mishi ka pësuar ndryshime organoleptike (ngjyra, shija dhe era e mishit janë tjetërsuar). Pas kontrollit të dokumentacionit është konstatuar se këtij mishi të importuar nga Holanda i kishte kaluar edhe afati.

Mishi në sasi prej 720 kg. është konfiskuar menjëherë, ndërsa me ndihmën e kompanisë rajonale “Ekoregjioni”, gjatë ditës së sotme, është asgjesuar me mjete përkatëse kimike.

Shëndeti i qytetarëve është në rend të parë. Nuk do të ketë tolerime ndaj asnjë kompanie që konsumatorëve u shet ushqim të prishur. Rasti i sotëm i është përcjellë Prokurorisë./Indeksonline/