14:34 / E Diele, 08 Tetor 2023 / Gj. Sh

Konflikti Izrael-Palestinë, mbi 650 të vrarë deri më tani

Mbi 600 persona janë vrarë dhe 1,500 të tjerë janë plagosur në Izrael që kur grupi militant palestinez Hamas filloi sulmin të shtunën (7 tetor 2023).

Dhjetëra persona të armatosur nga Gaza depërtuan në komunitetet jugore izraelite pas agimit, raporton BBC.

Ata kanë marrë peng ushtarë dhe civilë izraelitë dhe disa i kanë çuar në Gaza.

Izraeli është përgjigjur me një valë sulmesh ajrore në Gaza ku mbetën të vrarë 232 palestinezë si dhe 1,600 të tjerë u plagosën, thonë mjekët.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ishte “në luftë” dhe u zotua se Hamasi, i cili sundon Gazën, do të “paguante një çmim të paprecedentë”.

Ushtria izraelite ka mobilizuar dhjetëra mijëra rezervistë dhe tani pritet të nisë një operacion tokësor në Gaza.

Ndërkohë, luftimet po vazhdojnë me militantët që kontrollojnë zonat tek Izraeli jugor. Breshëri raketash janë lëshuar gjithashtu në qytete dhe qyteza izraelite, me Tel Aviv dhe Rishon Lezion në mesin e atyre që u goditën në mbrëmje.