Konflikti izraelito-palestinez përfshinë edhe futbollin, Benzema “konfliktohet” me portierin izraelit

Konflikti izraelito-palestinez i kalon kufijtë e politikës dhe lufta e tmerrshme duket se ka arritur edhe fushat e futbollit dhe më konkretisht në rrjetet sociale ku Karim Benzema i besimit mysliman dhe aktualisht pjesë e skuadrës së Al Ittihad u sulmua shumë ashpër nga ish-portieri izraelit, David Dudu Aouate, i cili ka luajtur edhe në Spanjë me Mallorca, Deportivo La Coruna dhe Racing.
Gjithçka ndodhi pas një postimi të sulmuesit francez në rrjetin social X. “Të gjitha lutjet tona shkojnë për banorët e Gazas – shkruante Benzema në postimin e tij – sërish viktima të këtyre bombardimeve të padrejta, që nuk kursejnë as gratë e as fëmijët”.
Një postim ky që nuk i pëlqeu aspak Aouate, i cili nuk ngurroi që t’i kthente përgjigje me anë të një postimi me tone shumë të ashpra, që arritën deri në fjalë fyese e për më tepër në 5 gjuhë, hebraike, franceze, angleze, arabe e spanjolle, shoqëruar nga flamuri izraelit dhe ai amerikan.