Konflikti me Iranin, shkon në 6 numri i ushtarëve amerikanë të vrarë
Numri i të vdekurve nga sulmi ndaj trupave amerikane në Kuvajt të dielën është rritur në gjashtë, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së të hënën pasdite.
Sulmi që rezultoi në vdekjen e anëtarëve të parë të shërbimit amerikan në luftën midis SHBA-së dhe Iranit ishte një goditje e drejtpërdrejtë në një qendër operacionesh të improvizuara në portin civil të Shuaiba të dielën në mëngjes sipas kohës lokale, tha një burim i njohur me situatën për CNN.
Shuaiba është një port i rëndësishëm në Kuvajtin jugor.
Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump se vala më e madhe e sulmeve mbi Iranin nuk kishte ndodhur ende, duke paralajmëruar kështu përshkallëzim të konfliktit.
Trump u shpreh se SHBA janë të përgatitura ushtarakisht për t’u përballur me këtë luftë edhe për më shumë se 4 apo 5 javë, që ishte afati i dhënë më parë prej tij.
Lufta në Lindjen e Mesme u zgjerua edhe më shumë këtë të hënë, me Iranin që ndërmori një sërë sulmesh hakmarrëse ndaj vendeve të rajonit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli vijuan të bombardonin Teheranin.
Sipas Kryqit të Kuq iranian, deri tani janë shënuar të paktën 555 viktima nga sulmet izraelite dhe amerikane në vend. Izraeli nisi sulme të reja në Teheran pasditen e së hënës dhe tha se ka në shënjestër regjimin terrorist të Iranit.
Mediat iraniane raportuan këtë të hënë se si pasojë e sulmit izraelito-amerikan mbi rezidencën e Khameneit në fundjavë, ka ndërruar jetë edhe bashkëshortja e liderit suprem, e cila kishte qenë në koma përgjatë orëve të fundit si pasojë e plagëve të marra. Teherani e ka bërë të qartë se nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve, pasi zyrtarët amerikanë thanë se liderët e vendit kishin kërkuar të flisnin me palën nga Shtetet e Bashkuara.

