17:30 / E Martë, 07 Maj 2019 / indeksADMonline

Kongo: Nuk e njohim Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka marrë një njoftim nga Ambasada e Kongos në lidhje me deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, se Kongo së shpejti do të pranojë pavarësinë e Kosovës, raporton Danas.

“Në përputhje me përmbajtjen e njoftimit që Ambasada e Republikës Demokratike të Kongos në Beograd sot dërgoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme, thuhet se Republika Demokratike e Kongos nuk e njeh, de jure apo de facto, entitetin e Kosovës,” tha ministria në një deklaratë, transmeton IndeksOnline.

Pacolli ditë më parë kishte thënë se “këto ditë pritet një njohjë e re nga Kongo, shtet në Afrikë”.

Ai shtoi se procesi i njohjeve është ngadalësuar për shkak se tash kanë mbetur pa e njohur Kosovën shtete të mëdha dhe sipas tij procesi është pak më i vështirë sepse janë shtete të mëdha me mbi 60 milionë banorë dhe kanë interesa të ndryshme.

“Për njohjet është ndërlikuar procesi, bota është ndarë për procese gjeostrategjike. Zambia, Kenia, Uganda, Ruanda, Etiopia, janë shtete që nuk na kanë njohur por që e mbështesin Kosovën në shumë procese integruese. Jemi duke punuar me shtetin e Kilit, Argjentinës, Paraguait dhe Brazilit por është pune që do vite për te ardhur deri te njohja. Nëse do te kishim një traktat të paqes me Serbinë do ti hapte rrugë njohjes. Edhe ne Afrikën e Jugut presim njohje nga Kongo këto ditë. Kongo është shtet shume i madh në Afrikë”, ka thënë Pacolli. /IndeksOnline/