Kongresistët amerikanë në Ballkan, vizitë edhe në Preshevë
Dy kongresistët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, do të vizitojnë sot Serbinë, e me këtë rast edhe Luginën e Preshevës, të banuar me shumicë shqiptare.
Ata do të priten nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, në Beograd, prej ku do të shkojnë edhe në Preshevë.
Kryetarja e kësaj komune në jug të Serbisë, Ardita Sinani, shkroi në profilin e saj në Facebook se “Presheva mirëpret delegacionin e Kongresit amerikan”, raporton REL-i.
“Një moment historik për Luginën”, sipas saj.
Me iniciativën e kongresistit Self, anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratuan në janar të këtij viti një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2022.
Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – që përfshin Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.
Një ditë më herët, Self dhe Subramanyam qëndruan në Sarajevë, ku takuan përfaqësuesit e presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.
Atje diskutuan për “mënyrat për të forcuar partneritetin dypalësh dhe për të mbështetur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.
Përmes një postimi në platformën X, Ambasada amerikane në Sarajevë nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.
Në mesazhin e publikuar nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar (OHR) në Bosnjë e Hercegovinë me rastin e vizitës së kongresistëve, u theksua po ashtu rëndësia e angazhimit amerikan ndaj marrëveshjes së Dejtonit.
Dy kongresistët u takuan me zëvendëspërfaqësuesin e parë të lartë, Louis Crishock, “për të diskutuar situatën politike në Bosnjë e Hercegovinë”.
Tash për tash, nuk është e qartë nëse delegacioni i kongresistëve amerikanë do të vizitojë Kosovën.
Radio Evropa e Lirë është në pritje të përgjigjes nga zyra për media e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Javën e kaluar, Kurti njoftoi se ka zhvilluar një takim virtual me një grup kongresistësh, në mesin e tyre edhe Self.
“Bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më i fortë se kurrë. Kjo, kryesisht, për shkak të mbështetjes dërrmuese dypartiake që Kosova gëzon në Kongresin e SHBA-së”, shkroi Kurti në X, pas asaj bisede.
Në fund të prillit, Self, bashkë me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.
Rezoluta me mbështetje dypartiake thekson, mes tjerash, se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”.

