Konjufca: Aktgjykimi i Kushtetueses na dha të drejtë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe kandidatja e kësaj partie për kryeparalamentare, Albulena Haxhiu, kanë dalë në një konferencë për media, një ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit.
“Ka të bëjë me interpretimin tonë se si e kemi parë ne si VV aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. VV u përgjigj me faktin se si fituese e zgjedhjeve edhe Kushtetuta i jep të drejtë që të propozojë kryetarin në krye të Kuvendit. Kjo nuk hasi në mirëkuptim të subjekteve opozitare dhe qasja e tyre ishte bllokuese. Ne ndërmorrëm një seri veprimesh të tjera duke i konsideruar si veprime që do t’i ndihmonin konstituimit të Kuvendit, njëra prej të cilave ishte ftesa për kryetarët e subjekteve politike.
Aktgjykimi na dha të drejtë, dhe aty një nga pikat më të rëndësishme është se nëse hyhet në bllokadë për të krijuar marrëveshje politike, kjo nuk vlen vetëm për kryetarin e Kuvendit, çka u sqarua edhe një herë. Interpretimi sa i përket kësaj pike, të raportit mes kryetarit dhe nënkryetarëve, është që t’i vendosim të gjithë në një pako dhe t’i votojmë pa u përzier në emrat që ne propozojmë.
Gjykata Kushtetuese, si ne e lexojmë, kjo është vetëm një paralajmërim që nëse hyn në rrugën e bllokimit, gjykata ka thënë se kjo nuk mund të bëhet vetëm për kryetarin.
Konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjithëve, jo vetëm e atij grupi parlamentar që ka dalë i pari në zgjedhje. Obligimi është i të gjithëve”, tha Konjufca.