Konjufca del nga Prokuroria: Thaçi dhe Veseli deshën ta largonin LVV-në nga skena politike
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, pasi është ftuar për intervistim në lidhje me kallëzimin penal që ai dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, e kishin ngritur kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Albin Kurtit.
Konjufca tha se me deklaratat e tyre, Thaçi dhe Veseli kanë synuar që ta lidhnin LVV-në me terrorizëm dhe me vrasjet gjatë luftës, shkruan gazeta “Sinjali”.
“Kanë deklaruar se jemi themelues të organizatës “Syri i popullit” dhe që kemi shkruar komunikata të UÇK-së që lidhen me vrasjet gjatë luftës në Kosovë si dhe me vrasjet e pasluftës në Kosovë. Këto janë pretendimet e Thaçit dhe Veselit që të lidhin Vetëvendosjen me terrorizmin me vrasjet e luftës në kohën e luftës tonë çlirimtare por edhe gjatë vitit 2000. Kjo është e papranueshme për ne dhe kjo është arsyeja pse kemi paditur Thaçin dhe Veselin se kanë bërë deklarimet të rrejshme nën betim”, ka thënë Konjufca.
Qëllimi i këtyre akuzave, sipas Konjufcës ka qenë se Thaçi dhe Veseli kanë dashur që LVV-në ta nxirrnin nga skena politike duke e bërë terroriste.
“Ata kanë synim politik, që duke e konsideruar VV-në si kundërshtar politik të bëjnë këso mveshje të veprave të rënda penale përmes deklarimeve të rrejshme me qëllim që ta diskualifikojnë nga skena politike Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe mua”, ka thënë ai.