75 Mall Live Search
09:30 / E Mërkurë, 11 Tetor 2023 / MSH

Konjufca dhe Hofreiter flasin për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me Kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane në Bundestagun Gjerman, Anton Hofreiter.

Në këtë takim u shkëmbyen perspektiva rreth çështjeve që janë në interes të përbashkët për Kosovën dhe Gjermaninë.

Konjufca falënderoi Hofretier për mikpritjen, si dhe i shprehi mirënjohje për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës në proceset integruese evropiane, në ato të ekonomisë e energjisë.

“Gjithnjë të hapur për thellimin e bashkëpunimit me Gjermaninë, partnerit tonë të pazëvendësueshëm, me një rol qendror në Bashkimin Evropian ku vendi ynë natyrshëm dhe pashmangshëm aspiron të integrohet” ka thënë Konjufca në njoftimin e tij.

Ky është njoftimi i plotë i Kryetarit Konjufca:

Në takimin me z. Anton Hofreiter, Kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestagun Gjerman, si dhe me anëtarë të tjerë të këtij komisioni patëm mundësi të shkëmbenim perspektivat rreth çështjeve të interesit të përbashkët.

Z. Hofreiter e falënderova për mikëpritjen dhe i shpreha mirënjohje për kontributin e tij, të komisionit që drejton dhe të shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në çështjet e proceseve integruese evropiane, ekonomisë dhe energjisë së qëndrueshme dhe liberalizimit të vizave.

Gjithnjë të hapur për thellimin e bashkëpunimit me Gjermaninë, partnerit tonë të pazëvendësueshëm, me një rol qendror në Bashkimin Evropian ku vendi ynë natyrshëm dhe pashmangshëm aspiron të integrohet.