75 Mall Live Search
18:23 / E Martë, 10 Mars 2026 / B XH

Konjufca e ambasadori gjerman flasin për dialogun dhe zhvillimet rajonale

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, zhvillimet rajonale dhe procesin e dialogut.

Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në takimin njoftues pas formimit të qeverisë së re, ambasadori Rudolph e ka uruar Konjufcën për mandatin dhe ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, një partneritet që tejkalon dimensionin bilateral dhe mbështetet në lidhje të forta politike, ekonomike dhe shoqërore.

Po ashtu u theksua roli i rëndësishëm i diasporës së Kosovës në Gjermani dhe i bizneseve të shumta që qytetarët e Kosovës kanë ndërtuar atje, duke nënvizuar nevojën për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomike dhe të bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve.

Gjatë bashkëbisedimit u diskutua edhe për zhvillimet rajonale dhe procesin e dialogut, si dhe për rëndësinë e vazhdimit të koordinimit dhe angazhimit për stabilitet dhe përparim në rajon.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Gjermaninë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.