13:57 / E Hënë, 07 Nëntor 2022 / S Z

Konjufca e quan Vuçiqin dirigjent të përpjekjeve për destabilizim të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka folur për gjendjen politike në vend. Ai tha se gjithçka që po shohim ditëve të fundit, përpjekjeve për sabotim e dorëheqjeve nga deputetët serb, kryetarët e komunave serbe dhe nga institucionet e sigurisë, janë orkestrim nga dirigjenti Aleksandër Vuçiq dhe Serbia.

“Gjithçka që po shohim ditëve të fundit, sa i përket reagimit, përpjekjet për sabotime, dorëheqjeve  të gjitha janë një orkestrim në të cilin dirigjenti i padiskutueshëm është Aleksandër Vuçic dhe Serbia. Këto s’kanë fare të bëjnë me një reagim spontan, të popullatës serbe në Kosovë”, tha Konjufca.

Ndërsa tha se as Aleksandër Vuçiq dhe askush nuk do të mund ta destabilizoj dhe sfidojë sigurinë në vend.

“Nëse ka qenë qëllimi i Serbisë dhe Vuçiqit, që të shkaktojë zgjedhje apo destabilizm në Kosovë, apo zgjedhje si rezultat i destabilizimit dhe sfidimit të  situatës së sigurisë, kjo jo vetëm që nuk është e mundshme, por besoj që i gjithë spektri politik është i bashkuar në Kosovë dhe se kjo është e pa tolerueshme. Nuk e përjashtoj që ndoshta Vuçiqi e Daçici mund të kenë qëllime të tilla. Por mendoj se përballë qëllimeve të tilla, ne duhet të kemi një konsensus kombëtar, që të mos biem pre e këtyre përpjekjeve”, tha ai.

Konjufca ndër të tjera tha se situata e sigurisë në Kosovë është nën kontrolle dhe se policia e Republikës së Kosovës, është e pranishme në atë pjesë të territorit sipas ligjeve, në kufi dhe Dogana. Ndërsa tha se të gjitha këto situata të krijuara së fundi në vend,  vijnë si rezultat i refuzimit të planit Franko-gjerman nga Serbia.

“Mendoj që përpjekja e Vuçiqit e përkthyer politikisht, ka filluar në ditën e djeshme për një arsye. E arsye e vërtete e orkestrimit të këtyre akteve,  është me mbulu atë që ka qenë thelbësore ditën e djeshme, është që Republika e Serbisë, të cilën ne nuk e njohim, zyrtarisht e ka refuzu planin Franko-gjerman. Të gjitha këto Serbia po i orkestron me  fillu një fazë të re politike, refuzim i planit të propozuar për normalizim të marrëdhënieve. Përpjekje me kontrollu situatën në një pjesë të territorit  Kosovës dhe me imponu fakte të reja në terren . Ne i sigurojmë qytetaret se kjo nuk do të ndodh.  Kosova i realizon ligjet e Kushtetutën e vet.  Përpjekjet e Vuçicit që me ia dhënë një drejtim tjetër politik, të dialogut përmes barrikadimit dhe sfidimit të situatës së sigurisë,  iu siguroj se do të dështojnë”, tha ai./IndeksOnline.