22:21 / E Diele, 05 Janar 2020 / indeksADMonline

Konjufca i reagon Serbisë: Kthejeni Nezir Mehmetajn në shtëpi!

Nezir Mehmetaj është kosovari që u ndalua të premten nga autoritete serbe.

Madje të njëjtit gjykata në Serbi sot i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ai tha se Serbia me këto veprime po tregon se nuk ka ndryshuar mentalitetin politik dhe se shqiptarët i shohin ‘si njerëz të dorës së dytë’.

Konjufca i bëri thirrje Serbisë ta lejojë Mehmetajn të kthehet pranë vatrës së familjes së tij, dhe ta ndryshojë qasjen që ka ndaj Kosovës e qytetarëve të saj, transmeton Indeksonline.

Ai theksoi se jemi në shekulli 21 dhe se këto sjellje duhet të ndalen.

Postimi i plotë:

Me shqetësim morëm lajmin për arrestimin e qytetarit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, i cili po kthehej nga Serbia ku kishte qenë në spital për nevojat shëndetësore të nënës së tij. Dje pati disa reagime nga institucione e subjekte politike të Kosovës, dhe nga shumë qytetarë, që kërkuan lirimin e z. Mehmetaj. Por në vend të lirimit, sot morëm vesh se gjykatat e Serbisë kanë vendosur ta mbajnë edhe 30 ditë.

Kjo është padrejtësi. Serbia po arreston në mënyrë arbitrare, cilin t’i teket, nga qytetarët e Kosovës të cilët kalojnë nëpër atë vend nga halli, jo nga qejfi. Me këto gjeste Serbia po na tregon se nuk ka ndryshuar ende mentalitetin politik sa i përket Kosovës e shqiptarëve, të cilët i trajton dhunshëm e me arbitraritet, sikur të jenë njerëz të dorës së dytë.

Sjellje të tilla që targetojnë një etni e një vend fqinj nuk premtojnë aspak mirë për të ardhmen. I bëjmë thirrje Serbisë ta lejojë z. Nezir Mehmetaj të kthehet pranë vatrës e familjes së tij, dhe ta ndryshojë qasjen që ka ndaj Kosovës e qytetarëve të saj. Jemi në shek. XXI e këto sjellje duhet t’i ndalni megjithatë, edhe pse s’kanë kaluar ende as dy dekada prej masakrave gjenocidale që bëtë kundër nesh!