Konjufca: Kosova pagoi 5 euro emblemën e 50 centëve, Thaçit i ndahen 1.2 milionë euro!
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka dhënë një sërë kritikash në drejtim të qeverisë për ndarje të mjeteve financiare.
Deputeti i LVV-së, gjatë seancës së sotme parlamentare, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka gabuar rënd në shumë raste të ndarjeve të mjeteve financiare.
“Ajo çfarë është tronditëse ka të bëj me festën e pavarësisë. A e din që data e pavarësisë nuk lun, por është me 17 shkurt. Qysh është e mundshme që shpenzimet për pavarësi të shpenzohen prej këtij fondi dhe me lëkundje të madhe. 200 mijë, 500 mijë dhe kërkush s’jep llogari. Një emblemë është paguar 5 euro, e ajo kushton 50 deri 1 euro. Ajo veç nëse është e mbështejllur me ari se ndryshe s’bën”, ka thënë Konjufca.
Deputeti i VV-së deklaroi se tenderi për shënimin e Ditës së Pavarësisë (17 shkurt) është dhënë që të kënaqet ndonjë militant dhe kjo, sipas tij, është e gërditshme.
“Këtu në Kosovë kemi dy llojë të keqpërdorimeve. Tenderëve me presion e direktiva dhe me manipulime. Keqpërdorimi me rezervën shtetërore”, ka deklaruar ai.
Më tej, deputeti i LVV-së ka folur edhe për ndarjen e mjeteve për presidentin e Republikës, Hashim Thaçi.
“Shpenzimet të paparashikueshme për lobimin personal të presidentit. Për librat e tij personal. Cka na intereson neve lobimi për figurën personale të Hashim Thaçit. 1.2 milionë euro i kemi paguar (taksa paguesit) për presidentin që ai mu enë poshtë e përpjet jo vetëm për librat por me lobu edhe për ndarjen e Kosovës. Kjo nuk guxon me ndodhë”, është shprehur ai. /Indeksonline/