75 Mall Live Search
22:27 / E Martë, 17 Shkurt 2026 / MSH1

Konjufca optimist se drejtuesit e UÇK-së së shpejti do të jenë në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, nga Haga ka thënë se procesi gjyqësor për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë shqetësues dhe i ngarkuar me ndikime politike.

“Ky proces gjyqësor na ka shqetësuar deri tash shumë, për arsye se gjykimi ynë, edhe jo vetëm i yni, por gjatë këtij procesi, është se kemi pasur shkelje të shumta, sa i përket të drejtave të gjithë atyre që po gjykohen në këtë proces, që janë drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe përveç kësaj, shumë elemente ka në të cilat dyshohet se nuk është drejtësi e pastër, pra ka qenë e mbshtjellur me shumë politikë dhe me shumë vendime politike,” ka deklaruar Konjufca.

Ai ka komentuar edhe aktakuzën prej 73 faqesh, duke theksuar se ajo fokusohet më shumë te karakteri i luftës së UÇK-së sesa te individët.

“Nëse lexoni me vëmendje aktakuzën, unë e kam lexuar që kur ka dal ajo, e pastaj e kam rilexuar disa herë për me vërtetu mos kamë harru ndonjë detaj. Por ajo aktakuzë 73 faqe që është vërtet e mbushur me gjykime politike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo aktakuzë, nëse e lexoni edhe hyrjen e saj, në njëfarë mënyre preambulën e saj, e vëreni që nuk ka lidhje me individë. Ajo shkon shumë përtej individëve dhe merret me vetë karakterin e luftës tonë çlirimtare, e ne dimë se sa e shenjtë është lufta çlirimtare, të cilën e ka kryer Ushtria jonë e lavdishme e UÇK-ja. Pa atë angazhim, e UÇK-ja ishte ushtria të cilën e prodhoi populli i prej gjirit të vet, nuk do të mund të kishte ardhur as liria e Kosovës”, tha ai për RTK.

Konjufca ka theksuar se liria e Kosovës ka ardhur si rezultat i kombinimit të vullnetit të popullit dhe ndërhyrjes ndërkombëtare.

“Liria e Kosovës është kombinim, do të thonë së pari është vullneti i popullit i cili gjithmonë ka rezistu, i cili nuk ka pranuar me ju nënshtrua okupimit serb. Edhe djemtë e vajzat, gratë e burrat më të mirë të popullit i kapën armët për me ja kthye okupatorit serb ato armë edhe për me e nxjerrë jashtë Kosovës. Edhe pastaj ishte edhe ndërhyrja ndërkombëtare. Por ndërhyrja ndërkombëtare me luftën e UÇK-së ishin komplementare, do të thotë nuk ishin kundër njëra-tjetrës. Ishte lufta e UÇK-së në teren dhe pastaj aeroplanët e NATO-së nga ajri që goditën të dyja Serbinë dhe për me realizua një qëllim e cili ishte edhe qëllimi i botës demokratike edhe qëllim e popullit të Kosovës, që ishte Serbia jashtë Kosovës”, shtoi Konjufca.

Ai ka theksuar se kjo luftë është mbrojtëse dhe nuk mund të gjykohet nga askush.

“Serbia u gjunjëzua, liria u realizua, prandaj në themel të lirisë tonë është kjo luftë, nuk mund ta gjykojë kërkush këtë luftë. Kjo është luftë e pastër, është luftë mbrojtëse. Prandaj do të marrë nesër pjesë në këtë proces për të treguar pozicionimin tonë në relacion me luftën tonë çlirimtare dhe që atë askush nuk guxonë ta shtrembëroj. Ajo është në zemrat e popullit të Kosovës dhe e shkruar në historinë tonë edhe e shkruar edhe në themele e shtetit tonë të Kosovës”, tha Konjufca.

Ministri ka shprehur optimizëm se aktakuza do të rrëzohet dhe drejtuesit e UÇK-së do të lirohen:

“Unë shumë jam optimist që Gjykata ka me hedhë poshtë dhe si të pabazë aktakuzën, këtë aktakuzë për të cilën ju fola edhe që drejtuesit e UÇK-së, drejtuesit e Ushtrisë tonë të lavdishme do t’i kemi në Kosovë shumë shpejt të lirë dhe pa kurrfarë barre në këto procese gjyqësore”, deklaroi ai.