Konjufca pret përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, thekson përkushtimin për një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti në takim njoftues përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, z. Peter Sørensen.
Gjatë takimit, Konjufca e informoi z. Sørensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.
“Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, thuhet në njoftim.

