75 Mall Live Search
20:05 / E Enjte, 27 Qershor 2024 / L K

Konjufca priti në takim delegacionin e deputetëve të CSU-së të Parlamentit të Bavarisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim delegacionin e deputetëve të CSU-së të Parlamentit të Bavarisë, të drejtuar nga z. Gerhard Hopp.

Në takim kryetari i Kuvendit theksoi se Republika e Kosovës ka një lidhje të veçantë me Gjermaninë, që është forcuar me kontributin e jashtëzakonshëm gjerman përgjatë të gjitha fazave, përpara dhe pas pavarësisë së shtetit tonë. Kryetari Konjufca tha se Bavaria është nga rajonet që ka pritur emigrantët e parë shqiptarë nga Kosova në Gjermani, në vitet ‘60-të dhe për të gjitha këto Kosova ka mirënjohje të thellë, duke u siguruar që kjo lidhje të mbahet e palëkundur, si themel i bashkëpunimit.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që raportet mes Kosovës dhe rajonit të Bavarisë, si dhe Gjermanisë në përgjithësi, duhet të thellohen edhe më tej në një masë të gjerë fushash.

“Republika e Kosovës është veçanërisht e interesuar të përfitojë nga modeli i arsimimit profesional në rajonin e Bavarisë dhe shtetit të Gjermanisë në përgjithësi, përmes të cilit tregut të punës në Kosovë t’i ofrohet kuadër sa më profesional”, tha kryetari Konjufca.

Delegacioni gjerman u shpreh shumë i kënaqur me vizitën në Republikën e Kosovës, duke konstatuar të arriturat e shumta që Kosova i ka bërë si shtet. Ligjvënësit bavarezë shprehën mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke përfshirë Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.