13:20 / E Enjte, 19 Maj 2022 / MSH

Konjufca takohet me deputeten suedeze dhe ekspertët e auditimit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, priti sot në takim Mia Sydow Mölleby, deputete në Parlamentin e Suedisë, Inguna Sudraba, ish-deputete e Parlamentit të Letonisë, njëherësh ish-Auditore e Përgjithshme dhe eksperte e SIGMA-s, si dhe Dag Levin Sparr, këshilltar i lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe zyrtar ndërlidhës për BE-në – pjesëmarrës të punëtorisë “Rritja e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve”, organizuar këto ditë nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).  

Deputetja suedeze Mia Sydow Mölleby e njoftoi kryetarin Konjufca në lidhje me bashkëpunimin e mirë me Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe Kuvendin, si dhe ndarjen e praktikave të mira në fushën e menaxhimit të fondeve publike.

Kryetari Konjufca, pasi vlerësoi rëndësinë e auditimit, falënderoi mysafirët për gatishmërinë e tyre që të bartin te ne përvojat në këtë fushë.

Në takim morën pjesë edhe Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme dhe Bezad Halilaj, Zëvendës Auditor i Përgjithshëm.