Konjufca takohet me Kosnettin, ky i fundit kërkon zgjedhjen e Presidentit

U.d. i presidentit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.
Ambasadori Konsnett uroi u.d. të presidentit Konjufca për detyrat e reja si u.d. i president dhe kryetar i Kuvendit. I ka uruar suksese, duke konfirmuar përkushtimin e tij dhe të SHBA-së për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës.
Nga ana tjetër, u.d. i presidentit Konjufca ka falënderuar ambasadorin Kosnett dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe partneritetin e vazhdueshëm me Republikën e Kosovës. Konjufca vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe thellimit edhe të mëtejshëm të raporteve ndërmjet të të dyja shteteve, duke konfirmuar përkushtimin e tij për një gjë të tillë.
Konjufca, po ashtu ka potencuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konstituimit sa më të shpejtë të të gjitha institucioneve, si parakusht për zhvillim të proceseve me rëndësi për vendin.
Ambasadori Konsett potencoi rëndësinë e zgjedhjes së presidentit të vendit, duke përmbyllur kështu konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai theksoi nevojën për një rol konstruktiv të të gjitha forcave politike në vend përgjatë këtij procesi, duke pasur parasysh interesin shtetëror para atij politik e partiak.
