75 Mall Live Search
16:08 / E Mërkurë, 12 Shkurt 2020 / indeksADMonline

“Konjufca tha se Kosova sivjet s’duhet të aplikojë në Interpol, kjo është një luftë më pak për Ivica Daçiq”

Ministri i Jashtëm Glauk Konjufca deklaroi që Kosova s’do të duhej të aplikonte këtë vit në Interpol, pasi sipas tij gjasat për dështim janë të mëdha.

Lidhur me këtë ka reaguar Meliza-Haradinaj-Stublla, ish këshilltarja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Haradinaj-Stublla tha se kjo është një luftë më pak për Ivica Daçiq. Sipas saj sot Daçiq uli armët dhe u relaksua, sepse tani ka një luftë më pak kundër Kosovës, dhe tani ai mund të koncentrojë forcat vetëm në ç’njohjet e Kosovës, transmeton Indeksonline.

Haradinaj-Stublla tha se reciprociteti nuk është gjithmonë i balancuar dhe borxhi nuk kthehet gjithmonë në të njëjtën monedhë.

Postimi i plotë:

NJË LUFTË MË PAK PËR Ivica Daqiqin!

Krejt në fund në ‘të ndryshme’ të mbledhjes së Qeverisë, si pa dashje, morri fjalën edhe Ministri i Jashtëm Konjufca, i cili diskutonte si i përgjumur dilemën se a duhet Kosova sivjet të aplikojë në Interpol apo jo. E tmerrshme se si u debatua kjo çështje publikisht, që në fakt do të duhej të diskutohej në takime të mbyllura konfidenciale. Sot, Ministrin Konjufca e dëgjoi edhe Ivica Daqiqi, i cili sot i uli armët dhe u relaksua, sepse tani e ka një luftë me pak kundër Kosovës, dhe tani ai mund të koncentrojë forcat vetëm në “ç’njohjet” e Kosovës.

E lavdishme do mbetet koha kur e gjithë bota ruso e serbofile u angazhua për të luftuar betejën e Kosovës në Interpol në 2018. Agresivitetin e diplomacisë kriminale të Serbisë e Rusisë kundër Kosovës në Interpol, e kundër zgjerimit të diametrit të rendit e ligjit në Ballkan e Evropë, e instrumentalizuam duke ia marrë Serbisë pushtetin ekonomik, dhe duke ia dhuruar Gjermanisë – sepse me taksën 100% Gjermania u zëvendësua me Serbinë si importuesi numër 1 në Kosovë.

Reciprociteti nuk është gjithmonë i balancuar, dhe borxhi nuk kthehet gjithmonë me të njejtën monedhë.

I bëj thirrje Ministrit të Jashtëm dhe të Diasporës, z.Konjufca, që të mos e diskutojë publikisht vullnetin apo mosvullnetin e Kosovës për aplikim në organizata ndërkombëtare, sepse kështu ia bën më të lehtë Serbisë deshifrimin e aspiratave të Kosovës dhe mobilizimin kundër nesh, shumë muaj përpara aktit final.

Sa më shumë fronte të hapura për Serbinë, aq më e dobët lufta e tyre.

KTHJELLUNI!