75 Mall Live Search
20:26 / E Shtunë, 20 Shtator 2025 / BA

Konjufca: Urimet për Ramën do të vijnë, unë po bëhem i pari

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca nuk ka dashur të komentojë mungesën e urimeve nga krerët institucionalë të Kosovës për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Megjithatë i pyetur nga mediat lidhur me këtë çështje, ka thënë se të njëjtat [urimet] nuk do të mungojnë.

“Po bëhem i pari që po e uroj”, është shprehur ai pas tubimit elektoral të së shtunës në Shtime.

I pyetur nga gazetarët pas tubimit elektoral të LVV-së në Shtime për arsyet se pse nuk është uruar kryeministri shqiptar, Edi Rama për mandatin e tij të ri, ai tha se nuk është aty për komente të tilla, megjithatë e uroi atë duke thënë se ‘urimet do të vijnë për kryeministrin Rama’.

“S’jam këtu për t’i komentuar këto veprime jam këtu për të promovuar fushatën tonë në Shtime. Urimet me siguri do të vijnë për kryeministrin Rama. I pari unë po ia uroi nga Shtimja, për të tjerët mund t’i pyesni ata, shpresojmë dhe urojmë që të jetë bashkëpunim shumë i mirë mes qeverive tona, urime dhe të gjithë ministrave të kabinetit të zotit Rama”, tha Konjufca për KP

Kujtojmë se Edi Rama mori detyrën si kryeministër i Shqipërisë në mandatin e tij të katërt “Rama 4”.

Edi Rama u betua në Presidencën e Shqipërisë si kryeministër shqiptar bashkë me kabinetin e tij qeverisës të premten e 19 shtatorit.

Donika Gërvalla uroi sot homologen e saj, Elisa Spiropali për detyrën e re.