75 Mall Live Search
18:02 / E Premte, 11 Gusht 2023 / MSH

Konkursi i infermierëve, Haxhiu: Janë ngritur pikët e testit për disa kandidatë të preferuar të LVV-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë se vetëm menaxhimi i Onkologjisë është puna me të cilën mburret Qeveria e Kosovës, madje punë të cilën e cilëson “të Ilir Kurtishit të PDK-së”.

Sipas tij, gjatë periudhës së qeverisjes së VV-së, në Onkologji janë zëvendësuar tre drejtorë, ku thotë se të gjithë kanë qenë të dështuar.

“Gjatë kësaj periudhe, në Onkologji tre drejtora i ka ndrru LVV-ja dhe me të gjithë ka dështuar duke krijuar radhë të gjata e lista të pritjes në Onkologji, derisa u detyrua ta rikthej Dr. Ilir Kurtishin në menxhim të Onkologjisë. Albin Kurti refuzoi të përgjigjej lidhur me emërimin e Radomiroviqit zëvendës ministër, edhe pse ai e ka pohuar se ka qenë pjesë e ushtrisë serbe gjatë luftës. Nuk u përgjigj as për bashkëpunimin me Radojqiçin e as për vjedhjen e rezervave shtetërore me sekserin e tij Ridin, sepse tha – jemi në QKUK”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Më tej, deputeti opozitar ka shkruar edhe për dyshimet e tij rreth manipulimit të konkursit për infermierë, ku ka publikuar disa fotografi të bisedave që pretendohet se janë shpërndarë pyetjet e testimit.

“Por pasi ishte në SHSKUK Albin Kurti  bashkë me Arben Vitin e Elvir Azizin do të duhej të pergjigjeshin për dyshimet në manipulim të konkursit për pranim të infermierëve, ku gjatë testimit janë shpërndarë pyetjet e testit përmes telefonit dhe se janë ngritur pikët e testit për disa kandidatë të preferuar të LVV duke cenuar barazinë në konkurrim. Të premtosh “Barazi dhe Drejtësi” dhe ta manipulosh procesin e konkursit, jo vetëm që është hipokrizi dhe mashtrim, por është vepër penale me të cilën duhet të mirren organet e drejtësisë”, ka shkruar ai tutje.