17:07 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

Konsumimi i kafesë ndihmon në jetëgjatësinë e pacientëve të cilët vuajnë nga kanceri

Në një studim të  JAMA Oncology,  në të cilin morën pjesë të pëktën 1,171 pacientë me kancer të zorrës së trashë në fazë të përparuar ose metastatik u arrit në konkluzionin se rritja e konsumimit të kafesë shoqërohet me një ulje të rrezikut të përparimit të sëmundjes dhe vdekjes. 

Gjatë studimit pacientëve iu kërkua të plotësonin një pyetësor në lidhje me dietën e tyre si edhe konsumin e  kafesë. Të dhënat u mblodhën gjatë viteve 2005 deri në 2018. 

Studiuesit zbuluan se personat që konsumonin një filxhan kafe në ditë kishin një rritje të jetëgjatësisë prej 11% krahasuar me ata që nuk pinin kafe.

Ndërkohë,  personat që konsumonin të paktën katër filxhanë në ditë, u zbulua se kishin 36%  më shumë mundësi për të mposhtur kancerin e zorrës së trashë.

Chen Yuan, bashkëautor i studimit nga Instituti Dana-Farber, tha se efektet antioksiduese dhe anti-inflamatore të kafesë mund të luajnë një rol tejet pozitiv.

Megjithatë studiuesit theksuan se ka nevojë për më shumë studime për të parë si funksionon ajo me biologjinë njerëzore.

“Edhe pse është e parakohshme të rekomandojmë një rritje të konsumimit të kafesë si një trajtim i mundshëm për kancerin kolorektal, studimi ynë sugjeron që pirja e kafesë nuk është e dëmshme dhe mund të jetë e dobishme”, theksoi Kimmie Ng, një nga studiueset përgjegjëse për studimin.