Kontrabandonte barna, hetohet pronarja e një barnatore në Prizren

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, kanë inicuar rast ndaj një femre kosovare, pronare e një barnatore në Prizren për ‘kontrabandim me mallra’, ‘tregti e ndaluar’ dhe ‘shmangie nga tatimi”
Sasia e barnave medicinale të sekuestruara është gjithsejte 280 paketime të barnave të ndryshme medicinale, me origjinë nga Serbia, Shqipëria dhe Turqia, në vlerë prej 3 mijë e 200 euro.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pasi kanë pranuar një informatë se një barnatore në Prizren posedon barna pa banderola, informatën kanë filluar ta trajtojë në aspektin policor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Bazuar në këto informata, janë kryer veprime hetimore, kurse sot, më 05.07.2023, së bashku me Inspektoratin Farmaceutik është kryer edhe inspektimi në ketë barnatore. Gjatë inspektimit farmacistja C.Y. (viti i lindjes 1991, femër kosovare), e cila njëkohësisht është edhe pronare e barnatores, nuk ka ofruar dëshmi për origjinën e një sasise të konsiderueshme të barnave, të cilat barna medicinale janë sekuestruar nga Inspektorati Farmaceutik.
Me rekomandim të prokurorit kompetent, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.